Thaçi obligohet së pari ta mandatojë VV-në për formimin e Qeverisë

Presidenti i Shtetit, Hashim Thaçi e ka veç në opsion para vetes kur të certifikohen zgjedhjet e 6 tetorit. Për herën e parë i duhet ta nominojë për Kryeministër kushdo që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila doli fituese në zgjedhjet e fundit.

Gazeta Express

Partisë fituese i duhen 15 ditë për ta çuar
për votim në Parlament kabinetin qeveritar.

Gjykata Kushtetuese, më 2014 në kohën kur opozita ishte bashkuar kundër partisë fituese, kishte interpretuar procedurat e formimit të Qeverisë. Aty, presidenti s’ka diskrecion të refuzojë këdo që propozon për herën e parë partia fituese e e nominuar për të formuar Qeverinë, shkruan Gazeta Express.

Por, ndryshe është herën e dytë nëse partia
fituese s’arrin të formojë institucionet. Nëse dështon partia e parë të formojë
Qeverinë, atëherë, Presidentit mund të vendos t’ia japë një partie tjetër
mandatin për formimin e Qeverisë nëse argumenton se ka 61 vota. Krejt kjo me
qëllim që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja.

Sidoqoftë, në zgjedhjet e gjashtë tetorit
nxorrën fituese Lëvizjen Vetëvendosje e cila mori 220 mijë e 811 vota ose
26.16% duke arritur në 32 numrin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Lidhja
Demokratike e Kosovës u rendit e dyta me 206 mijë e 458 vota ose 24.46% ose
përkthyer në ulëset e Kuvendit 29 deputetë.

KQZ pritet t’i certifikojë zgjedhjet e gjashtë
tetorit javën e ardhshme kur edhe përfundojnë ankesat në PZAP dhe Gjykatën
Supreme.

LVV dhe LDK para zgjedhjeve ishin zotuar se
nuk do të bëjnë koalicion me partitë tjera dhe do të punojnë që të arrijnë
marrëveshje pas zgjedhjeve për të qeverisur së bashku.

Të dy partitë kanë zhvilluar gjashtë takime në
kuadër të grupeve punuese për të harmonizuar programin qeverisës.

Dje, Lidhja Demokratike e Kosovës pas
mbledhjes së kryesisë në një konferencë për media foli kryetari i saj Isa Mustafa
i cili tha se me Lëvizjen Vetëvendosje janë pajtuar në shumicën e çështjeve.
Madje, tha se secila pozitë që preket në këto katër vjet qeverisje duhet të
jetë pjesë e marrëveshjes ndërmjet dy partive.

Sipas numrave në Kuvend, LDK dhe VV kanë
shumicën e thjeshtë në Kuvend prej 61 deputetëve.

Qeveria e ardhshme do të konsiderohet e
zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të
Kosovës pra 61 vota.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK s’kanë qeverisur
asnjëherë. Janë kundërshtuar mes vete. Kur LDK ishte në pushtet, Vetëvendosje
dhe Albin Kurti i ishin referuar Isa Mustafës si “njeri i Serbisë”. E kishin
gjuajtur me ve, gazlotjsjellës dhe i kishin sulmuar në rrugë e shtëpi. Tash,
Albin Kurti i referohet Isa Mustafës si profesor Mustafa.

Deri më tash është raportuar se LDK hyn në
koalicion nëse e merr Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Ministrinë e Punëve të
Brendshme, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Financave
etj.

Zyrtarët e Vetëvendosjes kanë thënë se do t’i japin LDK’së pushtet aq sa ka peshë në skenën politike./GazetaExpress/

Të tjera nga Kategoria