Edhe sa duhet të pritet për formimin e Qeverisë?

Zgjedhjet e 6 tetorit kaluan me incidente më të pakta se zgjedhjet e kaluara dhe me numër më të madh të qytetarëve që dolën të votojnë. Ato u konsideruan si më demokratiket, e tash që përfunduan, cilat janë procedurat që ndiqen deri në formimin e Qeverisë?

Përparim Leka

Së pari
duhet të pritet që të shpallet rezultati përfundimtar nga Komisioni Qendror i
Zgjedhjeve. E për t’u shpallur ky rezultatet duhet të pritet që të numërohen të
gjitha votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat e mërgatës.
Ky proces nuk pritet të fillojë as këtë javë.

Kjo për
shkak se KQZ ka pranuar se ka ndodhur një gabim teknik në formularin e
numërimit të votave.

“S’po flitet për manipulim, por për një gabim teknik që ka ndodhur, për shkak të shtypjes së gabueshme të formularëve. Duhet të deklarohet publikisht e të mos fshihemi. Formularët janë shtypur gabimisht. I kujt është faji do të zbulohet gjatë ditëve të ardhshme. Sekretariati është bartës i shtypjes të cilët janë shpërndarë në të gjithë Kosovën. Janë shpërndarë të njëjtit formularë dhe të njëjtit e kanë pasur gabimin teknik që subjektet të cilat ishin të renditura në fletëvotimin, dhe në formular, por subjektit të parë i mungon rubrika. Për rrjedhojë të kësaj, disa komisionarë të cilëve iu ka ndez llamba, i kanë shkruar me saktësi, por disa të tjerëve që s’ju ka ndez llamba kanë vazhduar nga subjekti i dytë dhe kanë krijuar një huti”, ka thënë Daka në mbledhjen e KQZ-së

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur të rinumërohen 303 vendvotime. Ky numërim pritet të fillojë të enjten dhe do të zgjasë disa ditë.

Ndërkohë rezultatet preliminare kanë dalur, dhe e para është Lëvizja Vetëvendosje me 25.50% të votave, ndërsa e dyta menjëherë afër saj është LDK’ja me 24.83% të votave.

Pas
publikimit të rezultateve përfundimtare të KQZ’së do të hyjë në lojë presidenti
i vendit.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 95.1. thuhet se pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Ishte pikërisht interpretimi i këtij neni, nga Gjykata Kushtetuese që i mundësoi PDK’së në vitin 2014 të jetë mandatar i krijimit të qeverisë, e jo koalicioni VLAN që kishte shumicën pas krijimit të koalicionit paszgjedhor. Andaj edhe sivjet fituesi i zgjedhjeve pritet të ketë mandatin e presidentit për krijimin e Qeverisë.

Pastaj,
sipas nenit 95.2., Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15)
ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe
kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. Në këtë rast qeveria konsiderohet e
zgjedhur nëse merr shumicën e thjeshtë të votave të të gjithë deputetëve në
Kuvendin e Kosovës.

Ekziston edhe varianti i mos votimit të kandidatit për kryeministër nga deputetët.

Sipas nenit 95.4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Kryetari i
Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka paralajmëruar një takim me kryetarin e
LDK’së , Isa Mustafën, dhe kandidaten për kryeministre nga ana e këtij subjekti,
Vjosa Osmani, këtë të enjte që me njëherë të diskutohet plani për krijimin e
Qeverisë së re.

Kështu pra, nëse marrëveshja për koalicion mes dy partive që kanë dalë të parat arrihet pa shumë vonesa, nuk pritet që të ketë Qeveri të re së paku deri në mesin e muajit nëntor të këtij viti. /Express/

Të tjera nga Kategoria