Tridhjetë shfrytëzues të kioskave rrezikojnë të mbesin pa punë









Ekonomia
gusht 18, 2019 – 15:15


Lexoni detajet

Rreth tridhjetë shfrytëzues të kioskave në Prishtinë po përballen me rrezikun e humbjes së vendeve të punës, pasi që komuna ka shpallur ankand publik për dhënien në shfrytëzim të kioskave në kryeqytet.


Ata thonë se kriteret e vendosura nga komuna janë të paarritshme dhe favorizojnë bizneset e mëdha. Ndërkohë një grup i asamblistëve komunalë kanë mbledhur nënshkrimet me kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, e cila mbahet të hënën. Ata kërkojnë që procesi të kthehet në pikën zero.


Kryetari i Shoqatës se Kioskave në Prishtinë, Sadudin Hasani, tha për Radio Kosovën se pas heqjes se kriterit për qarkullim vjetor prej 5 milionësh, janë vendosur kritere të tjera që po ashtu janë të pa përballueshme për ne. Kriteri për ndarjen e kioskave në tri grupe nga dymbëdhjetë kioska tregon hapur se është favorizim për bizneset e mëdha, tha Hasani.


“ Kriteri për të pasur dymbëdhjetë kioska në pronësi dhe duhet t’i kemi të hollat për një vit për rregullimin e tyre dhe për të paguar qiranë që është në ankand. Kjo është shumë e rëndë për neve. Edhe në konkursin e parë edhe të dytin po favorizohen bizneset e mëdha. Edhe tjetra, edhe nëse bëhemi bashkë të dymbëdhjetit dhe aplikojmë përsëri, kjo është e papërshtatshme për neve se një me ndodh mu largu, ne nuk mund ta paguajmë qiranë e tyre.”


Ndërsa, asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, i cili ka marrë iniciativën për një seance të jashtëzakonshme në lidhje me këtë, tha për Radio Kosovën se kriteret e përcaktuara nga komuna janë bërë për interesin e bizneseve të mëdha, dhe nëse kjo ndodh, pronarët e këtyre kioskave do të shndërrohen në raste sociale.


“ Të gjithë po e shohim që ideja e kësaj është që këto prona të jenë në destinim të dy tri bizneseve të mëdha të vendit. Mirëpo, fatkeqësia e kësaj çështjeje është se nga ky pazar që komuna e ka bërë me disa biznese dhe në rast se kjo do të ndodhte këto familje do të mbesin pa të ardhura dhe do të shndërrohen në raste sociale.”


E në lidhje me këtë çështje zëdhënësja e Komunës se Prishtinës, Miranda Mullafzliu, në një përgjigjeje për Radio Kosovën theksoi se oferta është publike dhe se pritet vendimi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal që do të mbahet ditën e hënë.


Rreth tridhjetë familje për rreth 20 vite kanë mbijetuar nga këto kioska. Kriteret e vendosura nga komuna po i rrezikojnë ato të mbesin pa të ardhura me cilat e kanë siguruar ekzistencën

Të tjera nga Kategoria