Pompeo dënon kërcënimin e Iranit ndaj inspektores bërthamore të OKB-së

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, e ka kritikuar Iranin për trajtimin që ia ka bërë një inspektoreje bërthamore të Kombeve të Bashkuara, duke e quajtur këtë sjellje si kërcënim të papranueshëm.

Kryediplomati amerikan tha se Irani e ka ndaluar në mbajtje
këtë inspektore, për të cilën Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore
njoftoi se e ka pasur të pamundur të largohet nga republika islamike për shkak
të trajtimit të autoriteteve iraniane.

Në anën tjetër, Irani njoftoi të enjten se ia ka tërhequr
akreditimin kësaj inspektoreje pasi ndaj saj u aktivizua alarmi në hyrjen e
impiantit bërthamor të Natanz-it. Organizata iraniane për energji bërthamore
tha se ndezja e këtij alarmi shkaktoi dyshime se ajo mund të jetë duke bartur në
trup materiale të dyshimta.

Kjo organizatë njoftoi se inspektores iu ndalua hyrja për këtë
arsye, pa treguar nëse asaj i është gjetur diçka e dyshimtë në trup.

Irani së fundi i ka shkelur disa pika të marrëveshjes bërthamore
të vitit 2015 me fuqitë botërore duke e rritur shkallën e pasurimit të uraniumit
përmes aktivizimit të më shumë centrifugave të avancuara.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga kjo marrëveshje vitin e kaluar dhe i vendosën sanksionet ndaj Iranit. Megjithatë, Rusia, Kina dhe shtetet evropiane po mundohen ta ruajnë këtë marrëveshje me Iranin, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Të tjera nga Kategoria