Pesticidi i ndaluar në tregun e Shqipërisë vjen nga Serbia dhe Greqia









Ekonomia
gusht 11, 2019 – 23:46


DETAJET

Sunfire 240 SC, ky insekticid i rrezikshëm është i ndaluara të përdoret në Shqipëri, pasi nuk është pjesë e listës së mbrojtjes së bimëve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila duhet të jetë e njëjtë me atë të Bashkimit Evropian.


Pavarësisht kësaj, Sunfire përdoret gjerësisht nga fermerët për të luftuar tutën absolute ose krimbin e bardhë.


Burime për Top Channel bëjnë të ditur se ky helm i rrezikshëm në Shqipëri hyn kontrabandë nga Serbia dhe Greqia. Si rregull për të eliminuar insektet e serave dhe fushave, fermeri duhet të përdorë luftën e integruar që është spërkatja e bimës me insekticide të lejuara. Nëse do të respektohet sasia e spërkatjes dhe shpërbërja e helmit, atëherë ushqimi do të jetë i shëndetshëm.


Përdorimi i Sunfires në bujqësi mund të shfarosë krimbin e bardhë nga bima, por ky helm i rrezikshëm nuk shpërbehet nga fruta-perimet dhe destinacioni final është organizmi ynë.


Duke përdorur ilaçe të pakontrolluara fermerët tanë arrijnë të kontaminojnë me helme të rrezikshme edhe tokën, për pasojë kultura bujqësore e radhës e kultivuar në një tokë të droguar nuk do të jetë cilësore.


Është Autoriteti Kombëtarë i Ushqimit ai që duhet të kujdeset se çfarë hamë ne, po ky institucion kontrollet e tij së pari duhet t’i fillojë nga raftet e farmacive bujqësore dhe veterinare, të cilat janë të mbushura me ilaçe vdekjeprurëse.


Tregtimi i helmeve të rrezikshme mund të sjellë të mira materiale për një grup të vogël individësh, por shkakton pasoja serioze në shëndetin tonë.

Të tjera nga Kategoria