Përpos Kosovës e Shqipërisë, tërmeti dridhi edhe tetë shtete tjera

Dy tërmete të forta kanë goditur zonën bregdetare shqiptare.

Nga ajo që raportohet nga Qendrat Ndërkombëtare Sizmologjike, shkalla e tërmetit ka qenë mbi 5.6 ballë të Rihterit.

Përveç në Kosovë, lëkundje të forta janë ndjerë edhe në Bullgari, Bosnje, Kroaci, Greqi, Itali, Serbi, Maqedoni të Veriut e në Mal të Zi.

Vlen të theksohet se lëkundjet më të forta janë ndjerë në zonën e Durrësit, qytet i cili ka qenë më së afërti epiqendrës së tërmetit.

Ndryshe, Shemsi Mustafa nga Instituti Sizmik i ka thënë gazetës Express se tërmeti e ka goditur Shqipërinë, por që ka qenë aq i fuqishëm sa dridhjet janë dëgjuar edhe në vendet e rajonit.

“Tërmeti e ka goditur Shqipërinë. Epiqendra ka qenë 30 km larg Tiranës, pra në det. Tërmeti ka qenë i fuqishëm, për atë arsye dridhjet janë dëgjuar edhe në vendet e rajonit. Magnituda e tërmetit ka qenë 5.5 shkallë”, ka thënë Mustafa për Express.

Lëkundjet e forta të tërmetit në Tiranë raportohet se kanë shkaktuar panik dhe frikë tek qytetarët, të cilat kanë lënë menjëherë shtëpitë dhe kanë dalë në rrugë. Lëkundjet e tërmetit zgjatën për disa sekonda, ndërsa raportohet se shkaktoi dëme materiale në shumë banesa./Gazeta Express

Të tjera nga Kategoria