Nga 28 Nëntori numrat e Z-Mobile do të kalojnë në Vala










Detajet

Kanë kaluar tre muaj që kur Telekomi i Kosovës më 30 korrik të këtij viti ka shkëputur kontratën me kompaninë Z-Mobile. Kjo kontratë ishte nënshkruar para 10 vjetësh që i mundësonte kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile Vala.


Periudha tranzitore për bartjen e numeracionit të shfrytëzuar nga Z-Mobile ishte parashikuar të jetë 120 ditë që nga data e përfundimit të kësaj kontrate. Krye shefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi për Gazetën Express tha se faza përmbyllëse e tranzicionit do të aplikohet nga data 28 nëntor dhe fillon nga ora 12:00 e natës, shkruan Gazeta Express.


Telekomi i Kosovës është në pronësi të Qeverisë së Republikës së Kosovës e cila është pronare e 100 për qind të aksioneve. Kontrata e nënshkruar para 10 vjetëve mes Telekomit dhe kompanisë Z-Mobile ishte cilësuar e dëmshme. Kjo kontratë u shpall e përfunduar më 30 korrik pas dështimit të negociatave dhe pa asnjë obligim kontraktual.


Kontrata 10 vjeçare mes Telekomit dhe kompanisë Z-Mobile i ka shkaktuar humbje 104 milionë euro Telekomit dhe 79 milionë euro fitim kompanisë Dardafon(Z-Mobile)


Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi i tha Gazetës Express se janë kryer përgatitjet në aspektin teknik dhe ligjor për fazën përmbyllëse të tranzicionit prej 120 ditëve për bartjen e numeracionit të shfrytëzuar nga Z-Mobile në Telekomin e Kosovës.


Istrefi tha se kalimi në mënyrë automatike i numrave të Z-Mobile në Vala do të aplikohet nga data 28 nëntor.


“Ne kemi formuar komisionet përkatëse në të gjitha departamentet që i kemi brenda Telekomit, faza përmbyllëse e tranzicionit prej 120 ditëve do të aplikohet që nga data 28 nëntor dhe fillon nga ora 12:00 të natës”, u shpreh krye shefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës.


Ai po ashtu deklaroi se do të ketë takim ditën e nesërme me Autoritetin Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për njoftim të përgjithshme mbi fazën e tranzicionit.


Istrefi tha për Express se janë duke u konsultuar edhe Agjencinë për mbrojtjen e të dhënave personale që të mos ketë shkelje të të dhënave të konsumatorëve që do të kalojnë në shërbimet e Telekomit


“Jemi duke kërkuar edhe nga Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale të konsumatorëve që gjatë bartjes së data bazës së konsumatorëve të Z-Mobile në aspektin ligjor të mos ketë shkelje të të dhënave personale të konsumatorëve”, tha Istrefi.


Krye shefi ekzekutiv i Telekomit tha po ashtu se konsumatorëve që kanë shfrytëzuar numrat e Z-Mobile nuk do të kenë asnjë problem në shfrytëzimin e shërbimeve të Telekomit.


“Absolutisht nuk do të ketë probleme në shërbime të telefonisë dhe internetit. Departamenti i produkteve është duke punuar për produktet e tyre kështu që konsumatorët që kanë shfrytëzuar shërbimet e Z-Mobile dhe që do të kalojnë në mënyrë automatike në platformën 100% që menaxhohet nga Telekomi i Kosovës nuk do të kenë asnjë problem gjatë komunikimit apo edhe bartjes së këtyre numrave në platformën tonë”, tha Istrefi.


Istrefi tha se kur të kryhet bartja e numeracionit nuk do të ketë më emër Z-Mobile në telefonat e konsumatorëve por vetëm Vala.


Gazeta Express ka kontaktuar Autoritetin Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare lidhur me periudhën tranzitore prej 120 ditëve të kalimit automatik në Telekomin e Kosovës të numeracionit të shfrytëzuar nga kompania Z-Mobile.


Nga ky institucion thanë se në përputhje me vendimin e ARKEP-it tri blloqet numerike (045 5xx xxx, 045 6xx xxx dhe 046 1xx xxx) që kanë qenë në shfrytëzim nga Dardafon.net(Z-Mobile) do të kalojnë në shërbimet e Telekomit të Kosovës.


“Është përgjegjësi e Telekomit të Kosovës që në përputhje me vendimin e ARKEP të ndërmarr të gjitha masat për ofrimin e shërbimit për përdoruesit e numeracionit të këtyre 3 blloqeve numerike që kanë qenë në shfrytëzim për nevoja të MVNO Dardafon.net (045 5xx xxx, 045 6xx xxx dhe 046 1xx xxx), të referuar në vendimin e ARKEP”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Të tjera nga Kategoria