Murati: Çnjohjet – politikë e Daçiqit, liderët tanë mos ta përdorin për vota

Serbia në vazhdimësi po insiston se disa shtete tashmë kanë tërhequr njohjen për Kosovën. E një deklaratë të tillë e dha ditë më parë edhe zëvendëskryeministri në detyrë, Enver Hoxhaj, i cili tha se kanë informata që 10 shtete kanë tërhequr njohjet për shtetin e Kosovës. Ndërkaq edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se Serbia po lobon për çnjohje të Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Artan Murati thotë se me deklarata të tilla, nuk duhet të bëhet fushatë politike.

Ai thekson se politikanët tanë nuk duhet të
përdorin linjën e njëjtë të fushatës, si ajo ministrit të Punëve të Jashtme të
Serbisë, Ivica Daçiq.

“Kjo nuk është çështje me të cilën do duhej të
bëhej fushatë elektorale, sepse e tejkalon përgjegjësinë dhe e tejkalon secilin
subjekt politik. Është temë shumë e madhe për të cilën dëmi mund të jetë shumë
më i madh nëse bëhet fushatë me këtë çështje. Unë konsideroj që në asnjë
rrethanë nuk guxojnë që asnjë subjekt politik të ia lejojë vetes që të bëj
fushatë me të njëjtën linjë siç po bën fushatë Daçiq, konsideroj që të gjithë
duhet të fokusohen që një çështje e tillë të përfundojë sa më shpejtë”, thotë  Murati.

Sipas tij, politikanët tanë duhet të fokusohen
më shumë në ruajtjen e shtetësisë së vendit.Ndërsa fton qytetarët që të
ndëshkojnë politikanët që nuk kanë punuar sa duhet në rrafshim e diplomacisë së
jashtme, përfshirë dështimin në prurjen e njohjeve të reja.

“Duhet të jetë
interes i secilit subjekt politik që të sigurojë sa më tepër njohje të reja dhe
t’i garantojë njohjet ekzistuese, duke ruajtur raportet me shtetet të cilat na
kanë njohur, e jo të merremi me faktin se a janë tërhequr njohjet apo jo. Tash
në kohë të fushatës kur kjo çështje mund të bëhet në vazhdimësi dhe normalisht
që fokusi duhet të jetë që ta ruajmë shtetësinë e Kosovës. Mirëpo gjithsesi për
gjitha aspektet nëse ka pasur keqqeverisje ose nëse me të vërtetë është fajtore
politika kosovare se pse po tërhiqen njohjet, atëherë normalisht që nuk do
duhet që  qytetarët ta lenin pa ndëshkuar
këdo që është marrë me këtë çështje dhe që nuk e ka kryer detyrën si duhet”,
thotë ai për EkonomiaOnline.

Ai tha se agresioni diplomatik i Serbisë nuk
është ndalur ende dhe se subjektet politike duhet të jenë më të kujdesshme dhe
të përgjegjshme karshi interesit shtetëror.

“Një gjë është e sigurt e dimë që Serbia tash
e sa kohë është duke bërë agresion diplomatik ndaj Kosovës e sidomos në
çështjen e tërheqjes së njohjeve dhe kjo është një temë e cila e prek të gjithë
shtetin Kosovës, e jo si parti të caktuara politike, ndonëse normalisht që
përgjegjësia më e madhe bie tek subjektet të cilat e kanë udhëhequr Ministrinë
e Punëve të Jashtme, tash e disa kohë”, tha Murati.

Të tjera nga Kategoria