Milaim Zeka tregon arsyet pse nuk bëri koalicion me partitë e tjera politike

Kryetari i Partisë Euroatlantike të Kosovës, Milaim Zeka, ka treguar për ofertat e partive tjera politike që i janë bërë atij. Ai ka thënë se me LDK’në nuk ka pranuar të bëjë negociata për sa kohë sa është Isa Mustafa kryetar i partisë, ndërsa me të gjitha partitë tjera kishte pasur biseda por se ato kishin dështuar.

Ai ka treguar se me
Partinë Demokratike të Kosovës ka pasur biseda, dhe ato i kishte zhvilluar me
Sami Lushtakun, por që kishin dështuar.

Ndërsa, partia e cila
e kishte arritur ta afronte më së shumti ishte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Kam pasur biseda me
kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili ka qenë më së afërmi të më bind  që të shkoj në bashkëveprim politik me të”
tha Zeka.

Por, cilat janë arsyet
që një koalicion i tillë nuk ndodhi? Zeka thotë se mënyra e qeverisjes, keq
menaxhimi i parave dhe falja e borxheve ndaj kompanive janë arsyet kryesore.

“Jam larguar për shkak
të mënyrës së qeverisjes së tij. Për punën e 53 milionëve të Bechtel Enkas dhe
falja e 56 milion euro kompanive të ndryshme” tha Zeka.

Ai madje shtoi se gjatë
kohës sa po fliste, rreth 1 mijë qytetarëve të Kosovës i kanë ardhur faturat e
ujit me vlerë prej 300 eurove.

“Vetëm sonte, 1 mijë
qytetarëve i ka shkuar te dera ftesa e përmbaruesit me nga 300 euro borxh për
ujë” shtoi ai.

Ndërsa Zeka tregoi se
biseda kishte pasur edhe me Vetëvendosjen, por sipas tij, Albin Kurti me
pretendimin se kur bëhet kryeministër i pranon simbolet e Kosovës, e vendos
shtetin në peshore të votave.

“Me Vetëvendosjen nuk
kam shkuar sepse Albin Kurti tha e pranoj himnin dhe flamurin pasi të zgjidhet kryeministër,
pra e qet shtetin në peshoren e votave. E dyta, Kurti sot luftojmë për bashkim
kombëtar, e nesër për shtet të Kosovës” tha ai.

Madje, pretendimet e
Kurtit ai i konsideron si shaka të përmasave të Hashim Thaçit, i cili ka
pretenduar se do ta marrë Preshevën pa dhënë asgjë.

“Hajgaren e fundit
publike, të përmasave të Thaçit… tani ka dalë e po thotë unë e shndërroj euron
në lek. Pse e bën një gjë të tillë? Për të abuzuar me të fukarenjtë dhe patriotët
e Kosovës” shtoi Zeka.

Milaim Zeka, ishte deputet në legjislaturën e fundit të Kuvendit të Kosovës. Ai është themeluesi dhe kryetari i Partisë Euroatlantike të Kosovës e cila garon e vetme në zgjedhje. /GazetaExpress/

Të tjera nga Kategoria