Maliqi: Pas shkarkimit të John Bolton, punët e Ballkanit e Kosovës i ka në dorë Departamenti i Shtetit

Analisti i çështjeve politike e aktivisti i shoqërisë civile Agon Maliqi, në një intervistë për Gazetën Express ka folur rreth finales së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe involvimit të drejtpërdrejtë të SHBA’së në këtë proces. Emërimin e Matthew Palmer si Përfaqësues Special të SHBA’së në Ballkanin Perëndimor ai e sheh si një vendim që tregon së Washingtoni e ka kuptuar më në fund që vetëm involvimi i drejtpërdrejtë mund t’i vendos në binarë rrjedhat në Ballkanin Perëndimor. Meqë është i emëruar direkt nga Sekretari Amerikan Mike Pompeo, Maliqi thotë se fuqia e Palmer në pozitën e re të Përfaqësuesit Special do të jetë shumë më e madhe. Përveç tjerash në këtë intervistë Maliqi ka folur edhe për rolin gjerman në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, problemet që kanë në mes vete shtetet anëtare, e kundërshtimin e Francës në çështjen e zgjerimit të BE’së. Maliqi ka folur edhe për shkarkimin e John Boltonit, dhe rreth asaj se nëse duhet Kosova ta konsiderojë si lajm të mirë një vendim të tillë të Donald Trumpit.

Besnik
VELIU

Gazeta
Express: Si e sheh emërimin e Matthew Palmer si Përfaqësues Special të SHBA-së
për Ballkanin Perëndimor. A wshtw kjo një sinjal që Washingtoni dëshiron një
zgjidhje deri në verën e vitit 2020?

Agon
Maliqi:
Emërimi i Matthew Palmer mes tjerash është
tregues i një interesimi të drejtpërdrejtë të Sekretarit të Shtetit Pompeo për
t’i dhënë shtysë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për t’u përfshirë
drejtpërdrejtë në fazën finale të tij. Gjithsesi, ekziston një përshtypje se ka
motive politike për ta arritur marrëveshjen brenda vitit 2020, kur edhe
përfundon mandati i administratës Trump. Por ky nuk mund të jetë motivi
përcaktues sepse Kosova dhe Ballkani janë çështje margjinale në spektrin e
gjerë të çështjeve me të cilat është e preokupuar politika e jashtme amerikane
apo edhe elektorati amerikan. Problemi është më i gjerë se teket politike
individuale të kësaj administrate dhe ka të bëjë me shqetësimet e SHBA mbi
arkitekturën e sigurisë së rajonit. SHBA-të duhet të kenë ardhur në përfundim
se vetëm roli i drejtpërdrejtë i tyre në rajon do të mund t’i mbante gjërat në
binarë në këto rrethana kur përballemi me humbjen e perspektivës europiane për
vendet e Ballkanit, zgjerimin e ndikimit kinez dhe rus, dhe futjen paralele të
Kosovës dhe Serbisë në procese zgjedhore me përfundime të paqarta. Emërimi i
Palmer synon që në këtë kontekst të koklavitur t’u japë shtysë proceseve në
drejtim të gjetjes së zgjidhjeve të cilat e konsolidojnë rrugën integruese të
rajonit në NATO dhe e zbehin ndikimin e rrymave lindore (me zbehjen e rrugës
drejt BE).  Zt. Palmer ashtu kështu e
mbulonte Ballkanin nga pozita e DAS (zëvendës asistentit të sekretarit për
Europë), por tani nga pozita e të dërguarit special ka fuqi më të madhe
manovruese dhe vendimmarrëse duke i raportuar drejtpërdrejtë sekretarit.
Gjithashtu, emërimi i tij si i dërguar special për Ballkanin në përgjithësi
nënkupton edhe mirëkuptimin e administratës në SHBA se zgjidhja e kontekstit
mes Kosovës dhe Serbisë – e cila shihet si prioritare – ka nevojë për menaxhim
rajonal, prandaj edhe ai është i dërguar për gjithë Ballkanin. U pa vitin që
shkoi se palë me interes dhe me ndikim në gjetjen e një zgjidhjeje ishin edhe
Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia – prandaj i dërguari special do të mund të
manovronte drejtpërdrejtë mes të gjithë këtyre faktorëve.

Gazeta
Express: Sa i përket rolit të BE-së, specifikisht Gjermanisë. Ditë më parë në
Kosovë për vizitë ishte deputeti gjerman, Peter Beyer, i cili dha një propozim
që edhe BE-ja të ketë një përfaqësues special për dialogun Kosovë-Serbi. Ai
gjithashtu gjatë vizitës në Beograd, i kishte thënë Vuçiqit që ta mendojnë idenë
e “Dy Gjermanive” si zgjidhje për problemin e Kosovës dhe Serbisë. Si i
komenton këto dy propozime, dhe a i sheh si një përpjekje të Merkelit për t’iu
kundërvënë iniciativave të Trumpit për dialogun?

Agon
Maliqi:
Rolin dhe peshën e Gjermanisë në rajon e ka
zbehur së tepërmi mungesa e qartë e perspektivës evropiane për Ballkanin dhe
mbi të gjitha “vetoja” e Francës për zgjerim drejt rajonit pa u bërë njëherë
reformimi i brendshëm. Tashmë është e qartë se zgjerimi drejt Ballkanit nuk do
të jetë në agjendë të Bashkimit Europian së paku gjatë këtij mandati të
Komisionit Europian, gjë që do të konfirmohet këtë tetor në rastin e moshapjes
së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Edhe Serbia ka marrë
sinjale se anëtarësimin nuk e ka askund në horizont. Gjermania dhe Merkel po
përpiqen ta ruajnë rolin prijës në rajon por nuk e ka më fuqinë përcaktuese të
cilën e kishte para disa vitesh pikërisht për shkak se ia ka prerë këmbët
Franca. Mungesa e çfarëdo lloj shtyse prej BE-së e ka zhdukur motivin kryesor
për vazhdimin e dialogut apo arritjen e ndonjë zgjidhjeje brenda kornizave të
mendimit gjerman: çfarë motivi ka Serbia për ta arritur një marrëveshje apo për
ta njohur Kosovën nëse nuk ka perspektivë për anëtarësim në BE? Çfarë motivi ka
Kosova që të llogarisë në Gjermanin apo në dialogun nën mbikëqyrjen e BE-së në
një kohë kur BE-ja e ka humbur levën kryesore të presionit mbi Serbinë? Prandaj
edhe i shoh me shumë skepticizëm kërkesat dhe thirrjet që këto ditë vinë nga
Gjermania sepse ajo, përkundër faktit se mbetet aleate kyçe e Kosovës, për
momentin në raport me Kosovën ka peshë vetëm sa i përket vizave (edhe aty po ia
pret këmbët Franca). Gjermania nuk ka çka t’i ofrojë Serbisë në këmbim të një
marrëveshjeje dhe ta detyrojë atë ta njohë Kosovën. Prandaj Serbia pa pikë
hezitimi po synon të bëhet pjesë e tregut euroaziatik me Rusinë, po e thellon
bashkëpunimin me Kinën dhe ndihet komode në vazhdimin e sabotimit të shtetësisë
së Kosovës.

Gazeta
Express: Dhe një pyetje të fundit. Dje presidenti i SHBA’së, Donald Trump, ka
shkarkuar John Boltonin, një prej zyrtarëve të lartë në Shtëpinë e Bardhë që
vazhdimisht ka qenë kundër Kosovës. Madje thuhet se Bolton ka qenë edhe arsyeja
pse Washingtoni është hapur për diskutim të çështjes së korrigjimit të kufijve.
Si e sheh një vendim të tillë. A duhet që Kosova ta konsiderojë si një lëvizje
pozitive, dhe pse do të duhej të ishte një vendim i tillë pozitiv për Kosovën?

Agon
Maliqi:
John Bolton ka qenë vetëm një pjesë e rrëfimit
në ndryshimin e pozicionit amerikan rreth paprekshmërisë së kufijve (për shkak
të pozitës koordinuese të cilën e ka Këshilltari për Siguri Kombëtare), por
situata është shumë më komplekse se miti banal i cili është ndërtuar në skenën
tonë politike dhe mediatike i cili e reduktonte gjithë këtë punë në një teke
personale të një njeriu (Boltonit)! Qëndrimi pragmatik amerikan rreth çështjes
së kufijve gëzon mbështetje shumë më të gjerë brenda administratës se që
mendohet tek ne, përfshirë edhe në Departamentin e Shtetit, Departamentin e
Mbrojtjes, në Këshillin për Siguri Kombëtare, në atë që quhet “komuniteti i
inteligjencës”, apo edhe në institutet dhe think tank-at në Washington D.C. Ky
qëndrim nuk ndërtohet mbi preferenca individuale por nga orientime strategjike
dhe shqetësime mbi arkitekturën e sigurisë. Qëndrimet e politikës së jashtme
amerikane që kanë peshë në arkitekturën e sigurisë botërore kalojnë nëpër sitën
e shumë agjencive dhe është naïve të mendohet se Bolton ishte faktor i vetëm në
formulimin e një politike apo se largimi i tij do të thotë fundi i kësaj
politike. Bolton ishte personalitet problematik për shkak të botëkuptimeve të
tija të përgjithshme nacionaliste, qasjes konfrontuese dhe dëshirës (ambicies)
për të marrë kontroll mbi vendimmarrjen politike rreth shumë çështjeve (gjë e
cila edhe ia hëngri kokën). Gjatë vitit të fundit ai dhe Sekretari Pompeo u
bënë konkurrentë dhe rivalë të fortë brenda administratës për “territor
ndikimi”. Pompeo doli fitues teksa Bolton-it vazhdimisht i zvogëlohej portfolio
e çështjeve me të cilat merrej, ndërkohë që Trump e humbi durimin me të. Tani
duket se me emërimin e zt. Palmer si i dërguar special Departamenti i Shtetit
ka kontroll të plotë mbi politikën mbi Ballkanin. Dhe këtu nuk pres ndonjë
ndryshim në qasje nga viti i kaluar, gjegjësisht nga qasja më pragmatike mbi
kufijtë dhe arkitekturën e sigurisë në rajon. Ajo që megjithatë duhet të jetë e
qartë është se kjo qasje politike nuk buron nga ndonjë tendencë anti-shqiptare
apo pro-serbe, e lere më nga teke individuale, por nga një lexim realist i
problematikave të sigurisë. Jemi rikthyer në epokën e “rivalitetit të fuqive të
mëdha” dhe SHBA-të çdo gjë sot e shohin nga perspektiva e ruajtjes së
kontrollit sferat e interesit, ndërsa në rastin e rajonit tonë shqetësim primar
janë Rusia dhe Kina./GazeaExpress/

Të tjera nga Kategoria