Liderët arabë dënojnë planin e Netanyahut për aneksimin e territoreve palestineze

Liderët arabë e kanë dënuar planin e Netanyahut për aneksimin e disa pjesëve të mëdha të territoreve palestineze në rast re i fiton zgjedhjet e javës së ardhshme. Ata kanë thënë se ky plan do t’i vriste të gjitha gjasat për paqe.

Liga Arabe e mbajti një takim emergjent të martën në mbrëmje
pasi kryeministri izraelit njoftoi për planin e tij gjatë një konference për
gazetarë.

Ministrat e jashtëm të vendeve arabe, të cilët u mblodhën në
Kajro të Egjiptit, e dënuan ashpër këtë plan dhe thanë se ai është zhvillim i
rrezikshëm dhe agresion i ri i Izraelit përmes shpalljes së qëllimit për t’i
shkelur ligjet ndërkombëtare.

“Liga i cilëson këto deklarata si rrezikim i gjasave për
ndonjë përparim në procesin e paqes dhe do t’i shkatërrojë të gjitha themelet e
tij”, thanë ministrat.

Ministri i jashtëm jordanez, Ayman Safadi, tha se plani i
Netanyahut është një premtim i tmerrshëm zgjedhor dhe paraqet eskalim të rrezikshëm
që i shkatërron themelet e procesit të paqes.

Netanyahu e prezantoi planin e tij për aneksimin e një pjese
të Bregut Perëndimor duke e përdorur një hartë të madhe, në të cilën territori
i Izraelit ishte i zgjeruar në drejtim të Luginës së Jordanisë.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, tha se do të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet e mëparshme me qeverinë izraelite, nëse Izraeli fillon ta zbatojë planin e Netanyahut, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Të tjera nga Kategoria