Konstatohet se prodhuesit kosovarë ballafaqohen me mungesë të punëtorëve









Ekonomia
gusht 20, 2019 – 12:28


Lexo Detajet

Është mbajtur një takim me me përfaqësues të disa kompanive të cilët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në mosmbështetjen e institucioneve si prodhues vendorë. Ky takim është organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temën “Gjendja e prodhimit në Kosovë”.


Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane tha se MTI-ja duhet të jetë shumë më e aftë për mbrojtjen e produkteve vendore. Ndërsa, Kujtim Gjevori nga kompania Scampa tha se ka pasur zhvillime sa i përket industrisë së prodhimit, por jo kënaqshëm. Kështu ai ka renditur disa nga kërkesat për Qeverinë e ardhshme, “Duhet të ketë një listë të çmimoreve sa i përket energjisë elektrike.


Duhet të ketë edhe një disiplinë financiare, mospagesat me kohë po shkaktojnë probleme te bizneset. Qasja te financa duhet të specifikohet tek banka qendrore, ne nuk po mundemi me u zhvillu sa po mundohemi. Pikë me rëndësi është edhe aftësimi i punëtorëve”, tha ai.


Bajram Rushiti nga Furra “Buka”, tha se do të ishte mirë që të identifikohen se kush janë prodhuesit në të vërtetë. Sipas tij, vetëm vitin e kaluar kanë humbur 1600 euro në trust. Gojart Kelmendi, nga fabrika “Flutura”, ka përmendur disa nga synimet që duhet t’i ketë Qeveria e re, me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe prodhimit në Kosovë. Tha se duhet të krijohet një bankë shtetërore.


“Qeveria e re duhet të ketë një strategji që do të zhvillonte sektorin prodhues. Po shohim se ka migrim të të rinjve, e kjo do të duhej të ndalej vetëm nëse zhvillohet sektori prodhues. Qeveria e Re do të duhej të fokusohej edhe në subvencionimi në makineri dhe eksport”, tha Kelmendi.


Ai poashtu shtoi se po mungojnë shkollat profesionale në Kosovë, për çka sipas tij nuk po ka kuadro te profesionalizuar në fusha të caktuara. E Ylber Bajraktari nga Stone Castle tha se  po ballafaqohen me mungesë të punëtorëve. Ai ka shprehur pakënaqësitë edhe për importin dhe kualitetin e verave. Bajraktari ka kërkuar edhe lirimin e akcizës. “Kompania jonë ka ardhur në atë situatë që një person po mbikëqyr 5 hektarë të rrushit. Shkak është edhe migracioni, por nuk ka edhe njerëz adekuatë. Ne si kompani përveç që e bëjmë deklarimin e rrushit, për çdo litër bëjmë edhe analizat, të gjitha këto janë të kosto të mëdha, pse duhet të pres me muaj të mostrave për të dalur në treg“, ka thënë ai.

Të tjera nga Kategoria