Erdogan kërcënon kurdët nëse marrëveshja nuk respektohet

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Ankaraja do të rinisë operacionin kundër forcave kurde në veri të Sirisë të martën në mbrëmje, nëse ato nuk tërhiqen nga “zona e sigurt”.

Turqia, me këmbënguljen e SHBA-së, u pajtua të
enjten për të ndërprerë ofensivën derisa luftëtarët kurdë të tërhiqen rreth 30
kilometra larg kufirit të saj.

“Nëse premtimet mbahen deri të martën
mbrëma, zona e sigurt do të zgjidhet. Nëse dështojnë, operacioni do të rinisë
sapo të bëhen 120 orë”, tha Erdogan.

Ai shtoi se forcat e armatosura turke do të
mbeten në rajon, pasi “siguria e kërkon një gjë të tillë”.

Por, Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut
– grup që monitoron luftën në Siri – tha se sulmet ajrore të Turqisë kanë
vazhduar edhe të premten në fshatin Bab al-Kheir.

Sipas Vëzhguesit, 14 civilë janë vrarë.

Turqia e ka nisur operacionin e saj më 9 tetor
për të pastruar, siç ka thënë, zonën e saj kufitare nga terroristët.

Turqia i konsideron terroriste milicitë kurde
në Siri dhe thotë se ato janë pjesë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit –
grup ky që ka luftuar me dekada për autonominë kurde brenda Turqisë.

Ofensiva turke, e cila ka zgjatur tetë ditë,
thuhet se ka lënë qindra njerëz të vrarë dhe të plagosur, ndërsa ka detyruar
mijëra të tjerë të zhvendosen.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald
Trump, tha të premten se Erdogan e ka siguruar atë se ai do që armëpushimi me
forcat kurde në veri të Sirisë të funksionojë.

Të tjera nga Kategoria